Bardhë e zi dhe e kuqe, lavdi Guernikës së Pikasos

Ne dimë për krimin e Guernikës sepse Picasso përdori penelin për ta memorizuar atë. Por vepra e Picasso-s është më shumë se kaq. Ajo është një aksion për të vërtetën përballë ‘fakteve alternative’ dhe rëndësisë së të vërtetës si paralajmërim dhe mbrojtje ndaj dhunës së qeverisë mbi qytetarët.Danny Bird

PicassoGuernica 0

Guernica nga Pablo Picasso (1937).

Një fluturim avionësh bombardues nga Legjioni Kondor i Gjermanisë Naziste dhe Aviazione Legionaria të Italisë shkatërroi qytezën baske të Guernikës për tri orë me rradhë më 26 prill 1937. Bombat zjarrvënëse goditën vendbanimin e pambrojtur, banorët u përpoqën të shpëtonin duke vrapuar drejt fushave përreth por edhe këtu u goditën në mënyrë të pamëshirshme nga mitralozët e aviacionit. Atë natë, zemra e identitetit bask u shkatërrua nga zjarret që pasuan.

Që kur filloi kryengritja ushtarake kundër qeverisë së Frontit Popullor të krahut të majtë në korrik 1936, Lufta Civile e Spanjës pati ndezur mijëra vetë në të gjithë botën. Bashkimi Sovjetik organizoi Brigadat Ndërkombëtare për të ndihmuar Republikën e Spanjës. Ndërkohë, fuqitë fashiste mbështetën Nacionalistët, një konfederatë e përzjerë grupesh tradicionaliste të Spanjës të udhëhequra nga ushtria. Të irrituar nga koncesionet e Republikës për autonomi, shkatërrimi i Guernikës ushqeu sloganin e Nacionalistëve për Spanjën – ‘Una, Grande y Libre’ (‘Një, e Madhe, e Lirë’). Bombardimi solli ndryshime të mëdha jo vetëm në këtë luftë por edhe në vetë qytetërimin modern; kjo është çfarë Pablo Picasso tregoi te tabloja e tij Guernika.

Korrespondenti i revistës Times George Steer, publikoi kronikën e parë në gjuhën angleze dy ditë pas sulmit. Ai vizitoi qytezën menjëherë pas bombardimit dhe pa mëdyshje akuzoi Luftëaffe-n për krimin. Artikulli u shpërnda në të gjithë botën dhe Picasso e hasi atë nga shtëpia e tij në Paris. Vetëm tri muaj më herët, delegatë nga Madriti i patën komisionuar atij prodhimin e një vepre arti për pavionin e Spanjës në Ekspozitën Ndërkombëtare të Parisit të planifikuar për atë verën. Ata shpresonin se duke nxitur piktorin më të madh të gjallë të Spanjës, vepra e tij do të ekspozonte vuajtjet e Republikës në sytë e botës.

Për Picasso-n, shkatërrimi i Guernikës ofroi një ndryshim të madh pas shumë javësh paralize në krijim. Paralelisht me këtë, Nacionalistët dhe Gjermanët protesuan duke deklaruar se ishin të pafajshëm dhe se sulmi qe pasojë e sabotatorëve Republikanë. Dizinformimi i tyre gënjeu shumë vetë.

Picasso zgjodhi të shprehë ‘neverinë e tij ndaj kastës ushtarake, e cila pati mbytur Spanjën në një oqean vuajtjesh dhe vdekjeje’. Tabloja e tij me përmasa sa një faqe muri synoi ta ekspozonte të vërtetën përgjithmonë. Kur tabloja u ekspozua në korrik, sponsorët Republikanë, të cilët prisnin një vepër më konvencionale për agjitacion e propagandë, mbetën të tronditur nga skena e dëshpëruar që i mikpriti ata.

Kritiku i artit dhe agjenti sovjetik Anthony Blunt e kritikoi atë si një ‘ide private’. Presidenti Bask, José Antonio Aguirre qe më i egër, e quajti atë ‘pornografi’, një fyerje për vuajtjet e baskëve. Tabloja kaloi në një turne në Europën demokratike, duke ngritur fonde për luftën e Republikanëve. Por pas fitores së gjeneralit Francisco Franco në prill 1939, Guernika u bë një refugjate, ajo iu besua Muzeut të Artit Modern (MoMa) në Nju Jork nga Picasso, në pritje të rindërtimit të republikës Spanjolle.

Për mbi 40 vjet tabloja mbeti në Shtetet e Bashkuara. Kompozicioni i ashpër dhe vizioni apokaliptik rezonuan kur qytete të tjera si Koventri, Dresden dhe Hiroshima përjetuan të njëjtat tmerre që fillimisht patën goditur Guernikën. Me përjashtim të titullit, asgjë në këtë vepër nuk e lidh atë me ngjarjen nga ku mori frymëzim. Aftësia për të kapërcyer kontekstin i ka mundësuar kësaj vepre të ketë një funksion unik në historinë e artit.

Personazhet e dallueshme të Guernikës janë bërë simbole të ikonografisë antiluftë, nga protestat kundër Luftës së Vietnamit te muri në Bregun Perëndimor. Në shkurt 2003, një riprodhim në tapet i kësaj vepre në Kombet e Bashkuara në Nju Jork u fsheh nga pamja kur delegacioni i SHBA-së foli para medias botërore para fillimit të bombardimit për “tronditjen dhe tmerrimin” e Bagdatit. Guernika është bërë simbol i zemërimit moral ndaj agresionit të drejtuar nga shteti kundër civilëve.

Megjithatë ky ka qenë gjithmonë një artefakt ‘Spanjoll’. Në vitet 1960, Franco, tashmë i dobësuar, u përpoq ta blinte atë. Perspektiva qe e qartë: marrja nga regjimi mund ta pakësonte ndikimin e pikturës përballë falsifikimit të fakteve të 26 prillit 1937. Vdekja e Franco-s më 1975 solli ndryshime të stërmëdha nëpër të gjithë Spanjën. Tranzicioni drejt demokracisë rinisi bisedimet për ta zhvendosur Guernikën në Madrit. MoMa rezistoi, duke cituar se republika e cituar në dëshirën e Picasso-s nuk ekziston ende. Pavarësisht kësaj, në shtator 1981, Guernika mbërriti në ‘shtëpi’. Deri në këtë pikë piktura nuk pati shkelur kurrë në tokën Spanjolle dhe mbërritja e saj krijoi ndjesinë e përfundimit të një epoke, aq sa gazeta spanjolle El Pais shkroi për titull kryesor: “Lufta përfundoi”. Por sa i përket mosmarrëveshjeve mbi kujtesën historike të Spanjës në lidhje me Luftën Civile, mbërritja e Guernikës nuk u bë ilaçi që shpresohej të ishte.

Asnjë objekt tjetër nuk flet më qartë se kaq për eksperiencën e Spanjës. Në fillim kjo vepër qe strehuar pas xhamit antiplumb dhe ruhej me roje të armatosura në Prado, muzeun në kryeqytetin e Spanjës. Ajo mbetet një burim mosmarrëveshjesh mes qeverisë qendrore dhe autoritetit Bask. Në vitet 1990, piktura u lëviz për herë të fundit te galeria Reina Sofia. Muzeu Guggengeim në Bilbao u hap më 1997 dhe në të u ndërtua një hapësirë e paracaktuar për Guernikën. Kjo e mban gjallë shpresën e vakët që një institucion bask do të mbajë në fund veprën që përshkruan një katastrofë Baske. Tabloja e famshme vijon të mbetet në Madrit.

Picasso është treguar fjalëpakë mbi imazherinë e Guernikës. Pavarësisht kësaj, burime të dobëta tregojnë se ai ishte i shqetësar veçanërisht në lidhje me të vërtetën. Drita elektrike në pjesën e sipërme të pikturës, një objekt mbi koka, i largët, artificial dhe armiqësor, nënkupton keqpërdorimin e teknologjisë nga shteti modern për të terrorizuar dhe goditur. Pranë saj, një kraj sfidues shfaqet nga fjalët mes rrënojave organike të panoramës civile, për të ekspozuar të vërtetën e pashueshme. E përshtatshme edhe për kohën tonë, llamba tregon edhe manipulimin e shtetit dhe përgjimin mbi shtetasit përballë gjenialitetit artistik që synon të ndriçojë njerëzimin.

Disa besojnë se ne tashmë jetojmë në një epokë ‘post të vërtetë’ ku antipatia popullore ndaj njohurive të ekspertëve dhe ‘lajmet e rreme’ po mjegullojnë parametrat e të vërtetës së verifikueshme. Kjo nuk është aspak e re. Si mundet që Guernika bardhë e zi të mos na ndriçojë ndërgjegjen tonë kolektive pas mbështetjes së Kellyanne Conëay të ‘fakteve alternative’? Në rast se Picasso nuk do të kishte përdorur penelin mbi kanavacë, ne nuk do ta dinim fare se çfarë ndodhi me të vërtetë me një qytezë të vogël në krahinën e Biskanias 80 vjet më parë. Guernika na rikujton ne mëkatin e injorancës, mëkat që sjell abuzim me historinë.




You may also like...