Diçka nuk shkon te teoria e pabarazisë si parakusht për akumulimin e kapitalit dhe zhvillimit

Kurba hipotetike e nobelistit të ekonomisë Simon Kuznets (1901-1985) ku argumentohet se ekonomia nis si relativisht e barabartë, bëhet shumë e pabarabartë dhe kthehet sërish në kushtet e pabarazisë së pranueshme si reagim i brendshëm i forcave të ekonomisë së tregut. Foto: Wikipedia

Kurba hipotetike e nobelistit të ekonomisë Simon Kuznets (1901-1985) ku argumentohet se ekonomia nis si relativisht e barabartë, bëhet shumë e pabarabartë dhe kthehet sërish në kushtet e pabarazisë së pranueshme si reagim i brendshëm i forcave të ekonomisë së tregut. Foto: Wikipedia

Teorikisht, përqendrimi i kapitalit në pak duar duhet të sjellë, së paku si një ngushëllim, investime masive, fabrika etj, të cilat duhet të sjellin fazën tjetër të kapitalizmit, atë të zbutjes graduale të pabarazisë. Por nëse biznesmenët janë idiotë, kjo faza e dytë nuk mbërrin kurrë

 

Gjergj Erebara

Prej kohësh është argumentuar se në ekonominë e tregut, pabarazia e lartë në të ardhura dhe asete është një parakusht për akumulimin e kapitalit dhe rrjedhimisht, rritjes së investimeve. Keynes, Kuznets e të tjerë e mbështetën këtë ide. Në fillim të kapitalizmit, pak njerëz akumulojnë kapital dhe, sido që kjo mund të duket e padrejtë, duke e bërë këtë, pra duke akumuluar kapital në mënyrë të pabarabartë dhe shumë shpesh, të paligjshme, ata fitojnë aftësinë për të investuar. Duke investuar, krijojnë atë që quhet ekonomi moderne dhe rrjedhimisht, kërkesë-oferta në tregun e punës ia del të vetërregullojë balancën duke rritur pagat për punëtorët e duke e ulur gradualisht pabarazinë. Kjo teori u formalizua me Kurbën Kuznets.

Te kjo pabarazi, Robert Allen, si edhe Eric Williams e të tjerë, kërkojnë rrënjët e revolucionit industrial britanik si origjinë e botës së sotme. Veçse dy autorët e sipërpërmendur e shohin ngjarjen historike të revolucionit industrial në dy drejtime të ndryshme. Williams thotë se e drejta që i dhanë vetes Europianët për të skllavëruar afrikanët, por edhe vetë europianët e varfër në një seri sistemesh juridike të marrëdhënieve të punës, nga bujkrobëria konvencionale te servituti, solli akumulimin e kapitalit i cili nga ana e vet, solli vrullin industrial. Allen sugjeron nga ana e vet se tregtia ndërkombëtare “termi delikat për tregtinë e skllevërve dhe kombinimin e tregtisë me luftën në shekujt e 17 dhe 18), krijoi një si tip shtrese të mesme urbane në Londër, gjë që solli marrëdhënie monetare mes fshatit dhe qytetit, por njëkohësisht shtrenjtoi koston e punës në qytete për punëtorët e specializuar dhe duke shtyrë njerëzimin të kërkojë zëvendësues për muskujt, deri sa zbuloi motorin me avull.

Kapitalizmi i çmendur dhe që i nënshtrohet ligjeve të xhunglës ku më i dhunshmi është rrjedhimisht edhe më i suksesshmi, janë justifikuar shpesh si një e keqe e domosdoshme, një rrugë e pashmangshme drejt kapitalizmit normal, atij të bazuar te rregullat.

Tani ecim përpara në kohë dhe shohim se si zhvillohet pabarazia në Shqipëri në epokën post-komuniste. Pabarazia qe e konsiderueshme edhe në kohën e komunizmit pavarësisht se çfarë thoshte propaganda. Rreth 1 për qind e popullsisë (30 mijë veta) në vitet 1980 kishin diplomë universitare dhe paga diku 50 për qind më të larta se sa punëtorët në zonat urbane. (Mbi 600 lekë në muaj). Po kaq qe edhe numri i njerëzve që shkonin me pushime nëpër rrjetin e kampeve të pushimeve “për punëtorët”. Rreth 30 për qind e popullsisë i përkisnin shtresës me të vërtetë punëtore, dmth që bënin punë me pagë 400 lekë në muaj. Për këto nuk kishte pushime nëpër kampet e “punëtorëve”. Pjesa tjetër prej mbi 60 për qind e shqiptarëve qenë punonjës kooperativash, të cilët kishin një pagë mujore 316 lekë në muaj. Pra pabarazia qe aty.

Kjo pabarazi vijoi pak a shumë në të njëjtat linja, me “të diplomuarit”, punëtorët dhe fshatarët, por gjithsesi në një nivel ekonomik shumë herë më të lartë se sa në kohën e komunizmit. Një pjesë, (shifra të sakta nuk kemi), u bënë të pasur përtej çdo imagjinate. Autoritetet në fakt nuk është se janë shqetësuar shumë për këtë gjë. Nuk ka patur deri më sot (ose së paku nuk jam në dijeni) të ketë patur ndonjë studim mbi pabarazinë. Nga të dhënat kalimtare të nxjerra nga Vrojtimi i Matjes së Nivelit të Jetesës, që kryhet një herë në disa vjet, pabarazia, e shprehur me indeksin GINI është rritur ndjeshëm, nga 0.24 që qe në vitet ’90, në 0.35 në vitin 2008 e nuk e dimë se sa më 2012. (GINI është 0 kur ka barazi të plotë dhe 1 kur ka pabarazi të plotë).

Teorikisht, përqendrimi i kapitalit në pak duar duhet të sjellë, së paku si një ngushëllim, investime masive, fabrika etj, të cilat duhet të sjellin fazën tjetër të kapitalizmit, atë të zbutjes graduale të pabarazisë si pasojë e përballjes në kushte më të ndershme të produktivitetit të punës me produktivitetin e kapitalit. Por ka dukshëm një defekt thelbësor në këtë modelin Kuznets. Ai i supozon përfituesit e kapitalit si investitorë mendjemprehtë dhe rracionalë. Por çfarë ndodh nëse kapitalistët e fazës së hershme të kapitalizmit janë të paaftë? Çfarë ndodh nëse ata i investojnë paratë gabim?

Xhungla jonë kapitaliste e çerekshekullit të fundit tashmë duket se është pikërisht në këtë fazën kur pabarazia ka arritur një nivel të frikshëm nga ku rrugët janë dy: konvertimin e gangsterëve dhe hajdutëve në investitorë racionalë ose marrjen e rrugës drejt përballjes sociale të dhunshme.

Paratë e konsiderueshme të akumuluara në pak duar në Shqipëri përgjatë 24 viteve të fundit janë përdorur për çfarë t’jua hajë mendja. Për shembull, janë ndërtuar pallate, shtëpi, vila. Bumi i ndërtimit qe i gjithanshëm dhe nuk i përkiste vetëm të pasurve. Ka jashtëzakonisht shumë njerëz që kanë ndërtuar shtëpi më të mëdha se sa i hyn në punë pavarësisht se nuk janë shumë të pasur. Nëpër fshatra ka me mijëra dhe dhjetëramijëra shtëpi të ndërtuara dy-tri apo katër kate, me dhoma të shumta dhe krejtësisht të panevojshme. Por ka edhe qindra pallate që janë ndërtuar në çdo cep dhe që sot dalin të tepërta.

Në këtë rast, pabarazia ekstreme që shikohet si e keqe e domosdoshme drejt zhvillimit, rezulton një rrugë me arka bosh. Dmth, padrejtësitë e shkaktuara rrugës drejt përqendrimit të kapitalit dhe fuqisë investuese të individëve të pasur nuk kompensohen me zhvillimin që teorikisht duhej të vinte nga ky përqendrim kapitali, për shkak se ata që e kanë në duar kapitalin e investojnë atë keq, ose e shpërdorojnë. Kjo është kaq e vërtetë kur sheh psh se si milionerët e rinj shqiptarë investojnë miliona për të ndërtuar vila pushimesh ku nuk qëndrojnë pothuajse kurrë, duke ngrirë nga ekonomia kombëtare kapital që në një situatë normale do të kishin ndërtuar fabrika dhe vende permanente pune në vend të vendeve të përkohëshme të punës që krijohen nga procesi i ndërtimit të një vile. Imagjinoni se si konvertohet kjo kur sheh pallate shumëkatëshe të ndërtuara në zona pa infrastrukturë, pra apartamentet për banim të cilat janë praktikisht të pabanueshme për shkak të mungesës së ujit.

Thomas Piketty argumenton se tipikisht, në vendet e pasura ka asete financiare me madhësi 90 mijë euro për frymë dhe se nëse këto asete japin një kthim prej 5 përqindësh në vit, ose më të lartë se sa norma e rritjes ekonomike, atëherë pabarazia ekonomike në këto vende është e destinuar të vijojë të rritet. Ky është një arsyetim krejtësisht i pavend për Shqipërinë, e ndoshta edhe për shumë vende të tjera që sapo e kanë nisur rrugën e ekonomisë së tregut. Këtu, norma e kthimit mbi kapitalin mund të rezultojë thellësisht negativ për shkak të paaftësisë së borgjezisë së re për të investuar siç duhet paratë që kanë akumuluar.

 

You may also like...