The Leftovers ’72

Xhabyni

The Leftovers është një serial amerikan që po ngjall interes jo vetëm në SHBA por edhe në Evropë. Ngjarjet zhvillohen në Amerikë dhe merren me njerëzit të cilët tre vjet pas “rrëmbimit” të 2% të popullsisë së botës, më së shumti fëmijë dhe mundohen t’i japin shpjegim këtij fenomeni. Kështu ngjarja zhvillohet përmes marrëdhënieve të afërmëve, prindërve e kështu me radhë të cilat vuajnë pasojat e këtij” rrëmbimi”.theleftovers

Në vitet 1972-1973, në Shqipëri ndodhën dy dy ishin ngjarje që u përfolën shumë. Në fundin e vitit 1972, në maternitetin e Tiranës, siç raportohet edhe në një studim të fundit, vdiqën nga një infeksion spitalor 27 foshnja të sapolindura, shumica e tyre të lindura para kohe. Ndërsa një vit më vonë një infarkt goditi diktatorin Hoxha.

Një vit më pas në Tiranë filloi të qarkullonte fjala se foshnjat nuk kishin vdekur nga shkaqet për të cilat flitej publikisht, por ata u vranë në mënyrë që Diktatorit t’i kalohej gjaku i tyre e kështu që sëmundja e tij të minimizohej.

Nuk di të them se sa e kanë besuar këtë histori njerëzit, shumica e atyre që kam pyetur nuk e kanë besuar, duke përmendur shumë të dhëna që lidhen më së shumti me argumentime teknike. Si fjala vjen, gjaku i fëmijëve nuk dihet në ka qenë i ngjashëm me atë të Diktatorit e kështu me radhë.

Por shumica e atyre që kanë humbur fëmijët e tyre në këtë tragjedi (që u mbajt sekret nga Diktatura), kjo histori është shpjegimi i vdekjes së foshnjave të tyre.

Qëllimi i këtij shkrimi e tejkalon qëllimin e një analize të vërtetësisë apo jo të kësaj historie. Qëllimi im është diku tjetër: Impakti i fuqishëm i Enver Hoxha tek shqiptarët, të cilët automatikisht i veshën atij një pushtet prej zoti.

Në tregimet biblike dhe kuranore vërehen dy histori interesante: historia e parë është ajo e Hebrenjve, përshkruar në Librin e Eksodit, të parëlindurit e të cilëve u vranë nga Faraoni sepse ai në ëndërr kish parë se do të ishin pikërisht ata që do e rrëzonin atë nga froni.

Shpjegimet historike të këtij veprimi, që sipas historianëve ka ndodhur, në fakt nuk e tejçojnë në këtë mënyrë historinë. Ato flasin për një rritje të madhe të popullsisë nga ana e hebrenjve, të cilët me numrin e tyre të madh rrezikonin jetën e egjiptianëve. Mirëpo historia biblike insinuon në vetvete diçka tjetër: faktin që Faraoni e konsideronte veten zot mbi tokë dhe i jepte vetes të drejtën që të jepte dhe merrte jetën sipas vullnetit e dëshirës të tij.

Në këndvështrimin kuranor Faraoni është simboli i diktatorit-zot, i cili nuk pranon që të adhurohet dikush përpos tij dhe masakra që ai i kryen ndaj hebrenjve është pikërisht nën këtë frymë. Ai përpiqet që t’u tregojë atyre dhe sundimtarëve të tjerë të tij që askush nuk mund të jetë më lartë se sa faraoni dhe se pushteti i tij është i pafundëm.

Dymijë e kusur vite më pas, një tjetër faraon, kësaj radhe me emrin Herod Antipa, nisi një gjueti (sipas Mateut) ndaj fëmijëve të parëlindur të Izraelit, nën frikën se mes tyre ndodhej mbreti i ri i Hebrenjve. Ekzegjetët biblikë ia atribuojnë këtë histori, që gjendet tek Mateu, ngjashmërisë që ky i fundit përpiqet të ravijëzoj mes Moisiut (që i shpëtoi masakrës së Faraonit) dhe Jezusit.

Në të dy rastet (atë të Faraonit dhe Herodit), ky infanticidizëm (vrasje e fëmijëve) është një shenjë e ekzistencës së një autoritet malinj, i cili përpiqet që përmes vdekjes së fëmijëve të ruajë apo të tregojë autoritetin e tij të padiskutueshëm.

Thashethemi i përhapur në vitin 1973 nuk mund të ketë asgjë të vërtetë, mund të jetë një trill i mendjes njerëzore njësoj, siç fjala vjen është edhe historia që Herodi kreu një masakër nga e cila shpëtoi Jezusi. Por ama, ajo që të lë më shumë mbresa është ngjashmëria e këtyre dy figurave, Enverit dhe Herodit.

Të dy ruajtën pushtetin e tyre përmes dhunës së ushtruar, jo vetëm ndaj armiqve të tyre por edhe të afërmëve të tyre. Historianët e Herodotit e tregojnë atë një mbret të çmendur, i cili vrau dhe birin e tij vetëm e vetëm për pushtetin e pafundëm që dëshironte të kishte, një identikit që i përpuqet më së miri diktatorit Hoxha, që nuk vrau djemtë e tij, por arriti në çmendurinë maksimale për të vrarë miqtë, me të cilët deri dje kishte ndare deri edhe “bukë e krypë e zemër”.

Të mbijetuarit, pra prindërit e atyre fëmijëve, ende sot mendojnë se fëmijët e tyre u përdorën për një eksperiment që në fund i ridha jetë makinës gjakatare dhe mendjes kriminale. Gjithsesi, kjo është një anë tjetër e errët e atij rregjimi, për të cilin kemi zgjedhur me vetëdije të flasim sa më pak apo mundësisht të mos flasim asfare.

Në këtë konstekst, historia që Enveri është vampiri që u thithi gjakun fëmijëve të sapolindur në maternitet edhe pse nuk është një histori e vërtetë, është një metaforë e goditur për dikë që u piu gjakun njerëzve të tij për 45 vjet.

You may also like...