Taksë apo tarifë, taksat e reja po vijnë me stil
Ditar i punës së përditshme dhe të mërzitshme të çdo gazetari
Erdhi dita që duhet me mësu mirë dallimin mes konceptit tatim me konceptin taksë, me konceptin tarifë.
Mund të duket e parëndësishme, për sa kohë, duhet t’i paguajmë detyrimet ndaj shtetit dhe nuk i shmangim dot. Por gjithsesi është mirë të sqarohemi.
Ministria e Financave ka nxjerrë një vendim qeverie dhe një projektligj për të cilin nuk ka marrë mundimin të sqarojë publikun e gjerë dhe as t’i publikojë në faqen e vet në internet. E njëjta fshehjeje informacioni është kryer edhe nga zyra e kryeministrit.
Të dyja, pra vendimi i qeverisë për regjistrimin e IMEI si dhe projektligji për një ndryshim në taksat kombëtare, na bëjnë paksa lëmsh konceptim tarifë me konceptin taksë apo tatim.
Te IMEI, Ministria e Financave ka kërkuar nga çdo shqiptar që ka një garidhaq, pavarësisht nëse e ka atë Nokia 3100 apo Iphone 7, 500 lekë. Ky 500 lekëshi kërkohet si tarifë. Këtu na vjen puna te nevoja për të mësuar konceptin tarifë.
Tarifë – pagesa që individi, apo një ent i caktuar bën përkundrejt një përfitimit/përdorimit të një malli/shërbimi publik. (http://www.aam.al/previewdoc.php?file_id=150)
Me i llaf, tarifë, do me thënë që kur merr furnizim me ujë, paguan tarifë. Kur nuk e merr, nuk e paguan. Ka edhe një element të dytë. Tarifa duhet të jetë në përputhje me kostot e mallit/shërbimit.
Po ku është malli apo shërbimi publik te kjo puna e detyrimit për regjistrimin e IMEI-t? Ku është shërbimi? Asgjëkundi. Dhe duke qenë se nuk ka mall dhe as shërbim publik të lidhur me IMEI-n në mënyrë të drejtpërdrejtë, me kosto që lidhen me ofrimin e mallit apo shërbimit publik, kjo pagesë me detyrim për regjistrimin me detyrim të IMEI, nuk është tarifë, është taksë.
Vendimi i qeverisë për ta shitur këtë taksë të re si tarifë, lidhet ngushtësisht me interesin për ta miratuar atë pa kaluar në parlament. Llafi që bie, qeveria thotë se e ka maxhorancën në parlament. Pse i hyn këtyre rrugëve që, janë të dyshimta ligjërisht? Epo qeverisë nuk i pëlqen të merret me gjëra konkrete, të përballet me opinionin publik për gjëra konkrete. Aq sa edhe taksat dëshiron t’i rrisë fshehtazi.
Kjo e IMEI-t iku si iku pa e marrë vesh kush, por disi edhe më absurde se kjo është projektligji që po diskutohet në parlament me anë të së cilit, qeveria vendos një taksë 50 lekë (gjithmonë në formën e tarifës) për çdo përdorues celulari, me argumentimin se kjo taksë është “për shërbimin e urgjencës mjekësore”. Për ata që kanë makina, ata do të paguajnë 1 mijë lekë “tarifë”. Edhe këtu, flitet për tarifë, kur në fakt është taksë.
Por duke e vendosur në formën e tarifës, qeveria i jep të drejtë vetes që këtë taksë ta rrisë më vonë, fjala vjen, nga 50 lekë “të qelbta”, ta bëjë 100 lekë.