Metamorfoza socialiste!

Në kapitullin e katërt të “Princit”, Machiavelli evidenton dy tipe mbretërish apo shtetesh i pari është një sundimtar i cili ka me vete një grup shërbëtorësh, që e asistojnë atë në qeverisjen e vendit përmes favoreve që i bëjnë sundimtarit dhe pushteti që i jep ai. Ndërkohë që i dyti është ai sundimtar i cili qeveris përmes baronëve që e trashëgojnë këtë pushtet për nga natyra e tyre aristrokate (pra ato kanë pushtet por i nënshtrohen një pushteti më të fortë dhe më të madh).

Natyrisht që asokohe Machiavelli i lidhi këto dy mënyra qeverisje me mënyrën se si qeveriseshin Osmanët dhe më pas Francezët, duke argumentuar edhe se përse persët nuk u ngritën kundër dinastive pasardhëse të Aleksandrit. Por, ajo çfarë më bëri përshtypje është lidhja e këtyre dy formave të qeverisjes që citon Machiavelli me ngjarjet e këtyre viteve në Partinë Socialiste.

Duke parë historikun e kësaj partie mund të flasim për një metamorfozë të saj nga një parti politike që kishte një Princ që qeveriste bashkë me baronët e tij, në një parti që me shumë gjasa do të shndërrohet në qeverisjen e një Princi që përcakton vetiu baronët e tij. Përveç se ky shndërrim është në dëm të demokracisë së socialistëve (që e kanë pasur këtë plus si armën e tyre kundër PD-së apo edhe LSI-së) ajo parashikon dhe një ogur të keq për gjendjen e demokracisë së një vendi.

Për ta shpjeguar këtë raport le t’i hedhim një sy asaj çfarë Machiavelli shpjegon për mënyrën se si pushtohen këto dy tipe mbretërish. Sipas tij, për të pushtuar dhe luftuar një mbretëri si ajo e Francës (pra që i ngjason PS-së së Nanos), duhet të tregohesh i zoti dhe i aftë për të bërë për vete baronët që mbreti ka me vete. Duhet të jesh aq i zoti dhe me aq pushtet sa të kthesh kundër mbretit dhe pushtetit të tij pikërisht ato që e ruajnë pushtetin e tij, që e furnizojnë atë me ushtarë dhe të mira.

Ndërkohë që nga ana tjetër, për të pushtuar një mbretëri si ajo e Persianëve apo e Osmanëve, është shumë e padobishme për të kthyer në anën tënde princat e vegjël që qëndrojnë pranë mbretit. Këto princa sa do të fuqishëm që të jenë në pushtetin e tyre aktual, populli i tyre nuk i njeh ato si të pushtetshëm duke qenë se pushtetin e tyre ia ka dhënë Sundimtari. Prandaj për të mposhtur këtë lloj sundimtari, ti duhet ta mundësh atë drejtë për drejtë në betejë, duke siguruar kështu edhe pushtetin e princave të tij…që do të jenë në dorën tënde.

Për ta aktualizuar, beteja e djeshme e Ramës kundër Nanos, qe një betejë në të cilën Rama duhet të korruptonte baronët që deri më dje ruanin pushtetin e Nanos (kuptohet nga frika) dhe që po ashtu ngritën në pushtet Ramën. Pastaj, historia flet vetë për mënyrën se si Rama me një ngadalësi dhe përllogaritje arriti që t’i zhbënte këto baronë duke i përthyer gjithë vektorët e pushtetit tek vetja e tij. Ajo çfarë shohim sot është pikërisht tipi i parë i “mbretërisë” që Machiavelli përmend në kapitullin e 4 të kryeveprës së tij.

Një shembull i qartë për atë çfarë po flas aktualisht është përzgjedhja e Veliaj për kandidatin e Tiranës. Në zgjedhjet e kryera në bazë, më i votuari nuk doli Veliaj, por qe Rama ai i cili e emëroi atë si baronin e Tiranës dhe ky test qe edhe një test për votën e socialistëve. Të cilët ndonëse nën zë nuk e duronin dot Veliaj dhe bëmat e tij, prapë se prapë votuan në rresht për një, duke e bindur akoma më shumë Ramën se një format i tillë do t’i shërbejë atij për të prodhuar sa më shumë baronë të kastruar dhe pushtet të akumuluar.

Prandaj sjelljet e sotme të Ballës, Majkos, Ruçit e kështu me radhë nuk janë vetëm se sjellje të disa baronëve të cilët duke mos pasur asnjëfarë pushteti real dhe rrjedhimisht duke u varur nga pushteti që i ka deleguar Rama. Shpërfytyrohen në thirrje të tilla qesharake si “Partia mbi atdheun” e më pas “Partia dhe Atdheu”. Natyrisht, që me kalimin e kohës dhe me konsolidimin e një pushteti të tillë, këto batuta sado qesharake kanë problemin e të shndërruarit në një absurd të cilin nëse nuk e beson ke rrezik të mos pranohesh se edhe ekziston.

You may also like...

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.