Papunësia në Shqipëri arrin kulmin, më pak se gjysma e maxhorenëve punojnë
Këto janë të dhënat e sapopublikuara nga Instituti i Statistikave mbi papunësinë në Shqipëri.
Ndryshe nga sa pretendon kryeministri Edi Rama për hapjen e 30 mijë vendeve të punës gjatë qeverisjes së tij të shkurtër, INSTAT raporton se sipas Vrojtimit të Tregut të Punës të kryer nga ky institucion, numri i shqiptarëve që vetëdeklarohen të papunë në kërkim të një vendi pune është rritur në 17.7 për qind për të gjithë popullsinë 15 vjeç e lartë.
Meshkujt duket se vuajnë papunësi më të lartë se sa femrat, jo se tregu i punës është më mikpritës për femrat, por për shkak se këto janë të dhënat për të papunët në kërkim pune. Të papunët që nuk janë të gatshëm të punojnë për arsye të ndryshme, fjala vjen janë në shkollë apo janë shtëpiake, nuk përfshihen në këto shifra. Në këtë kuadër, më shumë se sa tregues të papunësisë, këto shifra paraqesin numrin e shqiptarëve që janë aktivisht duke kërkuar punë.
Papunësia 15 vjeç e lartë në fakt përfshin edhe të moshuarit në moshë pensioni, të cilët shprehen para intervistuesit si të papunë që po kërkojnë punë. Për këtë arsye, vlen të dallohet edhe papunësia vetëm për popullsinë 15-64 vjeç. Siç shihet në grafik, te kolonat blu, për tremujorin e parë 2014, numri i shqiptarëve që i përkasin kësaj moshe dhe që aktualisht po kërkojnë punë, është 18.3 për qind e totalit me rritje të ndjeshme nga 17 për qind që qe në fund të vitit 2013.
Grafiku i tretë paraqet përqindjen e shqiptarëve mes moshës 15-29 vjeç, të cilët deklarohen se janë duke kërkuar punë. Kriza ekonomike e viteve të fundit duket se ka goditur më së shumti të rinjtë, të cilët e kanë më të vështirë të ruajnë vendin e punës në kohë të këqija. Në mars 2014, 31 për qind e të gjithë të rinjve të kësaj moshe deklaruan se janë në kërkim të punës. Një në çdo tre meshkuj të kësaj moshe janë të papunë në kërkim pune, shifra më e lartë që nga koha kur INSTAT filloi të kryejë vrojtim tremujor në tregun e punës. Numri i vajzave të reja që kërkojnë punë është shumë më i ulët se sa numri i djemve, por kjo mund të lidhet me faktin se vajzat në këtë moshë mund të jenë shtatzënë apo me fëmijë të vegjël, gjë që i bën të mos kërkojnë punë apo mund të jenë të zëna me shkollën. (numri i vajzave në universitete është më i lartë).
Shkalla e papunësisë, dmth numri i shqiptarëve në kërkim të një pune, nuk përfshin shqiptarët e papunë por që për shkaqe të ndryshme kanë hequr dorë nga kërkimi i punës.
Grafiku i mësipërm tregon shkalllën e pjesëmarrjes në forcat e punës, pra shqiptarët që deklarojnë se kanë një punë në raport me popullsinë totale. Vetëm 47.9 për qind e shqiptarëve në moshën 15-64 vjeç e konsiderojnë veten të zënë në punë. Dhe siç shihet nga grafikët, rënia gjatë viteve të fundit ka qenë dramatike.