Refuzoje hierarkinë e humanizmit

Ne nuk duhet të vrasim fëmijë të Gazës në përpjekje për të mbrojtur fëmijë të Izraelit

Nicholas Kristof, The New York Times

Kriza në Lindjen e Mesme është një nyje e ngatërruar dhe provë për humanizmin tonë. Ajo na pyet se si mund t’i përgjigjemi një provokimi të tmerrshëm ndaj të cilit nuk ka një ilaç të mirë. Dhe në këtë test, ne në Perëndim nuk po dalim mirë.

Pranimi i bombardimit në shkallë të gjerë të Gazës dhe një pushtim tokësor që me gjasa do të fillojë së shpejti sugjeron se fëmijët palestinezë janë më pak viktima, të zhvlerësuar nga lidhja e tyre me Hamasin dhe historinë e terrorizmit të kësaj organizate. Mendo për faktin se më shumë se 1500 fëmijë të Gazës janë vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës dhe rreth një e treta e të gjithë shtëpive atje janë shkatërruar apo dëmtuar në vetëm dy javë – dhe kjo është vetëm fillesa para asaj që pritet të jetë një pushtim tokësor shumë më i përgjakshëm.

Unë fluturova në Tel Aviv, një qytet shumë i bukur dhe plot diell ku grafitet në rrugë shkruajnë “Shkatërro Hamasin.” Izraeli është tronditur nga terrorizmi dhe rrëmbimet e Hamasit, një sulm që ndjehet si kërcënim ekzistencial dhe që shpjegon vendosmërin ëpër ta shpërbërë Hamasin, pavarësisht kostove. Ky ankth ndjehet në Tel Aviv, pavarësisht se qyteti ndjehet paqësor, ndërsa në Gaza një rreth i mbyllur ferri ka gjasa është rrugës për t’u bërë edhe më keq.

Shtetet e Bashkuara flasin shumë mbi parimet, por kam frikë se Presidenti Biden ka mishëruar një hierarki të jetës njerëzore në politikën zyrtare amerikane. Ai shprehu zemëratë ndaj masakrimit të hebrenjve nga Hamasi, siç duhej ta bënte, por ka vuatur për të qenë po kaq i qartë mbi vlerësimin e jetës së njerëzve të Gazës. Dhe nuk është gjithmonë e qartë nëse ai po i mban qëndrim Izraelit si vend apo kryeministrit të dështuar të këtij vendi, Benjamin Netanjahut, i cili është një pengesë e vjetër e paqes.

Çfarë duhet të mendojmë ne për thirrjen e administratës Biden për një shtesë prej 14 miliardë dollarësh asistencë për Izraelin dhe njëkohësisht thirrjes për ndihmë humanitare për Gazën? Armë mbrojtëse për sistemin Kupola e Hekurt të Izraelit është diçka që bën kuptim, por në praktikë, a nuk është kjo që po bëjmë një ndihmë për të paguar humanitarët për të pastruar gjakun e shkaktuar pjesërisht nga armët tona?

Çfarë do të mund t’i themi ne dr. Iyad Abu Karsh, mjek në Gaza, i cili humbi bashkëshorten dhe fëmijën në një bombardim dhe pastaj iu desh të mjekonte vajzën dy vjeç të lënduar? Ai nuk pati kohë për t’u kujdesur për mbesën apo motrën sepse iu desh të merrej me trupat e familjarëve të tij.

“Nuk kam kohë të flas tani,” i tha ai një kolegu të Times, me zërin që i dridhej. “Duhet të shkoj t’i varros.”

Në një fjalim të enjten, Biden bëri thirrje që Amerika të qëndrojë e vendosur në mbështetje të Ukrainës dhe Izraelit, dy vende të sulmuara nga forca që synojnë t’i shkatërojnë ato. Kjo është shumë mirë. Por imagjino nëse Ukraina do t’i përgjigjej krimeve të luftës të Rusisë duke vendosur në rrethim një qytet rus, duke e bombarduar atë për ta bërë pluhur dhe duke i prerë ujin dhe energjinë elektrike ndërsa vret mijëra dhe detyron mjekët të operojnë pacientët pa anestezi.

Kam dyshimet e mija që në një rast të tillë, amerikanët do të rrudhnin vetullat dhe do të thoshnin: E nisi Putini. Sa keq për fëmijët rusë, duhej të kishin zgjedhur të lindin diku gjetkë.

Këtu në Izrael, për shkak se sulmet e Hamasit ishin aq mizore dhe që përputhen me një histori pogromesh dhe të Holokaustit, ato shtynë drejt vendosmërisë për të shkatërruar Hamasin, pavarësisht nëse kjo kërkon një kosto njerëzore të stërmadhe. “Gaza do të bëhet një vend ku asnjë qenie njerëzore nuk do të mund të ekzistojë,” deklaroi Giora Eiland, ish-drejtues i Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Izraelit. “Nuk ka opsion tjetër për garantimin e sigurisë së Shtetit të Izraelit.”

Mendoj se kjo ide reflekton një keqllogaritje praktike dhe morale. Ndërsa ne të gjithë do të na pëlqente të shihnim fundin e Hamasit, nuk duket se mundshme të eliminosh radikalizmin në Gaza dhe ka gjasa që një pushtim tokësor do ta ushqejë ekstremizmin, në në vend që ta shkatërrojë atë, dhe do të ketë një kosto të padurueshme në jetë njerëzore.

Në veçanti dua ta sfidoj sugjerimin, më shpesh të nënkuptuar se sa të thënë, se jetët e banorëve të Gazës kanë më pak vlerë për shkak se shumë palestinezë simpatizojnë Hamasin. Njerëzit nuk e humbasin të drejtën e jetës vetëm për shkak se kanë mendime të çuditshme, dhe në çdo rast, pothuajse gjysma e banorëve të Gazës janë fëmijë. Këta fëmijë të Gazës, përfshirë foshnjat, janë mes dy milionë njerëzve të po durojnë rrethimin dhe ndëshkimin kolektiv.

Izraeli ka vuajtur një sulm të tmerrshëm terrorist dhe meriton simpatinë dhe mbështetjen e botës, por nuk duhet që kjo të përkthehet në një kartë të bardhë për masakrimin e civilëve, apo ndalimin e furnizimit me ushqime, me ujë e me ilaçe për ta. Bravo për Biden që tentoi të negociojë pak akses humanitar në Gaza, por sfida nuk është vetëm dërgimi i ndihmës atje, por edhe shpërndarja atje ku nevojitet.

Një sulm i gjatë tokësor mua më duket veçanërisht i rrezikshëm, që do të sjellë me gjasa vrasjen e një numri të lartë ushtarësh izraelitë, pengjesh dhe në veçanti, civilësh të Gazës. Ne jemi më mirë se sa kjo dhe Izraeli është më mirë se sa kjo. Rrafshimi i qyteteve është ajo që bëri qeveria e Sirisë në Alepo apo Rusia në Grozni; nuk duhet që diçka e tillë të lejohet të bëhet nga Izraeli në Gaza, me mbështetjen Amerikane.

Përgjigjja më e mirë për këtë test është që të përpiqesh, edhe para provokimeve, të mbahesh pas vlerave tona. Kjo do të thotë se pavarësisht anësive tone, ne të përpiqemi të ruajmë të gjitha jetët si të tilla që kanë vlerë të barabartë. Nëse etika juaj sheh disa fëmijë me vlerë të paçmueshme dhe disa të tjerë, si të shpenzueshëm, kjo nuk është qartësi morale, por miopi morale. Ne nuk duhet të vrasim fëmijë të Gazës në mënyrë që të mbrojmë fëmijë të Izraelit.

You may also like...