Kompromis politik për arsimin ose më saktë, kompromis për paratë

Photo0721

Ditar i punës së përditshme dhe të mërzitshme të çdo gazetari

Kryeministri Edi Rama na qerasi me një fjalim të gjatë që lidhej në një farë mënyre me reformën e propozuar për arsimin e lartë ditën e hënë. Duke e dëgjuar me copa, m’u duk se po fliste për shumë gjëra por jo për reformën. Ai na tha se si kishte një mirëkuptim ndërpartiak për reformën, sipas tij, në interes të vendit. Në fakt, më shumë se interesi i vendit, ish-këshilltarët e ish-kryeministrit Berisha i ka bashkur interesi për të grabitur bashkarisht buxhetin e shtetit.

Ah, Rama na tregoi një anektodë me një mësuese anglishteje që qe pushuar nga puna për t’u zëvendësuar me një fizarmoniçist dasmash, tha edhe shumë barsaleta të tjera gajasëse, por nuk përmendi kurrë atë element të reformës që i ka shqetësuar të gjithë.

A parashikon Edi Rama dhe reforma e tij të japë paratë e taksapaguesve për universitetet private? Për këtë nuk u tha asnjë llaf.

Dhe kur erdhi puna për të dëgjuar ministren e Arsimit, ajo gjithashtu nuk dha asnjë llaf.

Dhe kur erdhi puna për ta lexuar të ashtuquajturin raport e për ta kuptuar vetë, qe paksa e vështirë, sepse as qeveria dhe as ministria e Arsimit nuk e patën publikuar raportin. Përkundrazi, Ministria e Arsimit na kishte vënë në dispozicion një “përmbledhje” ku çështja se do të jepen apo jo para nga buxheti i shtetit te universitetet private, nuk përmendet fare.

Dhe kur vjen puna për të pyetur që, mirë qeveria do t’i japë para universiteteve private, po sa do të jenë këto para, 5 franga të qelbta apo 1 milionë dollarë apo 10 milionë dollarë, këto janë detaje të parëndësishme. E rëndësishme është që na qenka një fizarmoniçist dasmash, i cili përveç faktit që i bie qemanes nëpër dasma, i bie edhe kur në katundin e tij vijnë zyrtarë nga larg. Universtetet janë ndarë në të nënës dhe të njerkës, ku universiteti publik është i njerkës. Media në shumicë ka pazare nga më të ndryshmet me universitetet private. Shqetësimet mbi thyerjen e tabusë dhe hapjen e buxhetit të shtetit për shfrytëzim privat patën një mbulim minimal.

Kompromisi politik, aq i kërkuar në Bruksel dhe aq i largët në Tiranë, nuk na dilka një gjë e pamundur. Kur ka interesa ekonomikë psh, këshilltarët e ish-kryeministrit dhe kryeministri aktual na dalin bashkë si armiq “të ëmbël”. Dhe rasti i reformës në arsimin e lartë, veçanërisht kapitulli “mbi financimin”, është shembulli konkret i lehtësisë së arritjes së kompromisit politik, dialogut e togfjalësha të tjerë magjik, të cilët supozohet se lënë ma gjumë zyrtarët e Brukselit të shqetësuar mbi konfliktin politik në Tiranë (praktikisht sabotimin e përsëritur të opozitave) dhe pasojat e mundshme të këtij konflikti në procesin e integrimit.

Lexo më shumë:

Raporti i plotë: White_Paper_Pre_Edit

Shkrime të mëparshme mbi këtë temë

Çfarë mësuam nga debati për Draftin mbi Arsimit e Lartë?!

Përfundimisht kundër të ashtuquajturës reformë universitare

Dhjetëra studentë kërkojnë ndalimin e reformës universitare të qeverisë

Pse-të kundër reformës së arsimit të lartë

You may also like...